Mbrojtja kundër hakmarrjes e sinjalizuesve
Çdo veprim hakmarrje ndaj sinjalizuesit, të marrë nga autoriteti publik apo subjekti privat, në shkelje të dispozitave të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 300 000 deri në 500 000 lekë. Në rast se njësia përgjegjëse nuk merr menjëherë masat, kërkesa për mbrojtje paraqitet tek ILDKPKI-ja (https://www.ildkpki.al/). Nëse në përfundim të hetimit administrativ të realizuar nga ILDKPKI-ja, rezulton se është kryer një akt hakmarrje ndaj sinjalizuesit, ILDKPKI-ja urdhëron autoritetin publik apo subjektin privat për marrjen e të gjitha masave për riparimin e shkeljes së kryer. Në rast të mos riparimit të shkeljeve të kryera, sinjalizuesi mund t’i drejtohet gjykatës për të kërkuar shpërblim për dëmin e pësuar nga akti i hakmarrjes. Njësia përgjegjëse në autoritetin publik ose subjektin privat është e detyruar të marr menjëherë masat dhe në çdo rast jo më vonë se 10 ditë nga paraqitja e kërkesës për mbrojtje. Në rast të shkeljes së këtij afati, kërkesa për mbrojtje paraqitet tek ILDKPKI-ja, që është e detyruar të vendosë brenda 10 ditëve nga marrja e kërkesës. ILDKPKI-ja, brenda 5 ditëve nga data e marrjes së një kërkese për mbrojtje nga hakmarrja, njofton me shkrim sinjalizuesin për regjistrimin e pretendimit dhe emrin e personit pranë ILDKPKI-së, i cili do të ndjekë çështjen. ILDKPKI-ja njofton sinjalizuesin brenda 10 ditëve nga data e marrjes së kërkesës për statusin e hetimit administrativ të kërkesës për mbrojtje dhe për çdo veprim procedural të ndërmarrë. Procedura e hetimit administrative të kërkesës për mbrojtje përfundon sa më shpejtë të jetë e mundur dhe në çdo rast jo më vonë se 60 ditë nga data e rregjistrimit të kërkesës. Nëse sinjalizuesi paraqet një kërkesë për mbrojtje kundër hakmarrjes tek ILDKPKI-ja, autoriteti publik ose subjekti privat, duhet të provojë që masat e marra në dëm të sinjalizuesit nuk lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë me sinjalizimin.