Mbrojtja e sinjalizuesve nga hakmarrja
Të gjitha veprimet hakmarrëse ndaj sinjalizuesve, janë subjekt i dënimeve kundërvajtëse dhe penale. Sipas ligjit, në rast se institucionin publik apo subjektin privat si dhe autoritetin kompetent përkatës nuk mbron sinjalizuesin nga ndonjë veprim i dëmshëm ose nuk ndërmerr të gjitha masat e nevojshme për ndërprerjen e veprimit të dëmshëm, si dhe eliminimin e çdo pasoje të veprimit të dëmshëm, brenda kompetencave të veta, gjykata kompetente shqipton gjobë nga 500 deri në 20.000 euro. Për këto veprime, ndaj zyrtarit përgjegjës gjykata kompetente shqipton gjobë nga 300 deri në 2.000 euro (Nëse zyrtari përgjegjës është recidivist, gjykata mund ti shqiptojë të njëjtit gjobë deri në 4.000 euro). Në të gjitha rastet kur sinjalizuesi ose personi i lidhur me sinjalizuesin konsideron se ka pësuar nga veprime të dëmshme për shkak të sinjalizimit, punëdhënësi e ka barrën e provës të provojë se veprimi i dëmshëm nuk ka lidhje shkakore me sinjalizimin. Sipas ligjit, sinjalizuesit mund të paraqesin: 1) Padi kundër veprimit të dëmshëm dhe 2) Kërkesë për kompensim dëmi. Në rastet kur gjykata kompetente vërteton se sinjalizuesi në kontekst të marrëdhënies së punës ka pësuar nga veprime të dëmshme për shkak të sinjalizimit, vendos, sipas rastit, që ta kthejë në vendin e tij të punës, t’ia kompensojë dëmin e shkaktuar dhe të urdhërojë institucionin publik apo subjektin privat të ndërmarrë veprime të caktuara. Të gjitha lëndët që kanë të bëjnë me sinjalizimin, trajtohen me prioritet nga Gjykata. Padia kundër veprimit të dëmshëm i paraqitet gjykatës në afat prej gjashtë muajsh nga dita kur sinjalizuesi është vënë në dijeni por jo më vonë se tri vite nga dita kur është ndërmarrë veprimi i dëmshëm. Për rastet që kanë të bëjnë me zyrtarë publik padia dorëzohet në Departamentin për Çështje Administrative në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Për rastet që kanë të bëjnë me kategori të tjera të të punësuarve, padia dorëzohet në Departamentin e Përgjithshëm të Gjykatës Themelore, ku ndodhet selia e punëdhënësit apo ku sinjalizuesi e ka vendbanimin. Po ashtu, nëse sinjalizuesi apo personi i lidhur me sinjalizuesin i nënshtrohet ndonjë forme të hakmarrjes për shkak të sinjalizimit të bërë, mund të parashtrojë kallëzim penal në prokurorinë kompetente. Sipas Kodit Penal, kushdo që ndërmerr ndonjë veprim të dëmshëm ndaj një personi me qëllim hakmarrjeje për shkak të raportimit ose zbulimit të informacionit për veprime dhe mosveprime që përbëjnë kërcënim ose cenim të interesit publik, dënohet me gjobë ose gjer në 2 vjet burg.