Informata kyçe mbi sinjalizimin
Sinjalizimi nënkupton raportimin ose zbulimin e informacionit mbi veprimet dhe mosveprimet që paraqesin kërcënim ose dëm të interesit publik. Raportimi përfshin raportimin brenda një institucioni publik ose subjektit privat ose autoritetit kompetent, ndërsa, zbulimi nënkupton bërjen publike të informacionit. Sipas ligjit, sinjalizues është çdo person që raporton ose zbulon informacione mbi kërcënimin ose dëmtimin e interesit publik në kontekstin e marrëdhënies së tij të punës në sektorin publik ose privat. Personi në kontekst të marrëdhënies së punës konsiderohet secili person që është apo ka qenë në marrëdhënie pune (pavarësisht nga natyra e marrëdhënies së punës, kohëzgjatja ose paga), bashkëpunëtori i jashtëm ose i rastit, vullnetari, që është në praktikë profesionale ose trajnim, kandidat për punësim,kryen praktikë profesionale ose trajnim apo në marrëdhënie kontraktuale të punës, shërbimit ose lloje të tjera bashkëpunimi apo përdorim i shërbimeve të institucionit publik ose subjektit privat, përfshirë kontraktimin ose nën kontraktimin. Gjithashtu, personi i cili ndihmon sinjalizuesin ose mund të ofrojë prova lidhur me sinjalizimin apo çdo person tjetër që mund të dëmtohet për shkak të çfarëdo lidhjeje me sinjalizuesin ka të drejtë në mbrojtje. Kjo vlen edhe për personin që dëshmon se veprimi i dëmshëm është ndërmarrë kundër tyre për shkak se personi që ndërmerr veprimin e dëmshëm beson gabimisht se ai është sinjalizues ose person i lidhur me sinjalizuesin. Zyrtari përgjegjës për trajtimin e rasteve të sinjalizimit, gjithashtu gëzon mbrojtje, nëse dëshmohet se veprimi i dëmshëm është ndërmarrë kundër tij/saj në lidhje me pranimin dhe trajtimin e sinjalizimit. Mbrojtja e informatave identifikuese është e obligueshme të bëhet nga zyrtari përgjegjës dhe çdo person tjetër i cili pranon apo përpunon raportime në interes publik. Përveç të dhënave personale që lidhen me sinjalizuesit, ligji parashikon që procedura në lidhje me sinjalizimin dhe informacionet e raportuara të jenë gjithashtu konfidenciale. Në rastin e sinjalizuesve në sektorin publik. Rregullorja përcakton se dërgesat postare duhet të hapen vetëm nga zyrtari përgjegjës. Institucionet duhet të krijojnë email të veçantë për sinjalizim. Nëse një raport i sinjalizimit dorëzohet tek institucioni pa një adresë ose tek një person tjetër brenda institucionit, shkresa duhet të përcillet menjëherë tek zyrtari përgjegjës. Zyrtari përgjegjës duhet të informojë personin raportues për pranimin e raportimit. Sinjalizuesi mund të jap pëlqimin e tij/saj për zbulim të identitetit në përgjithësi apo zbulim të identitetit vetëm tek autoritetet e tjera kompetente. Zyrtari përgjegjës, duhet të marrë pëlqimin me shkrim të sinjalizuesit në rast se i kërkohet të japë të dhëna që mund të zbulojnë identitetin e sinjalizuesit tek një autoritet kompetent për veprime që nuk mund të ndërmerren pa e zbuluar identitetin e sinjalizuesit. Në rastet kur kërkohet me ligj të zbulohet identiteti i sinjalizuesit, zyrtari përgjegjës njofton sinjalizuesin për këtë fakt para si t’ia zbulojë identitetin. Nëse zyrtari përgjegjës nuk ruan konfidencialitetin, gjykata kompetente shqipton gjobë prej 500 deri në 20.000 euro. Raportimi apo shpalosja do të supozohet se është në interes publik, përveç nëse vërtetohet e kundërta. Dyshimi i arsyeshëm paraqet njohuri për informacionin që do të bindte një vëzhgues objektiv që një shkelje ka ndodhur, po ndodh ose ka mundësi të konsiderueshme që të ndodhë. Sidoqoftë, kur pranohet një sinjalizim në interes publik, zyrtari përgjegjës kryen një hetim administrativ të sinjalizimit të bërë. Hetimi duhet të kryhet në atë mënyrë që të përcaktohet në mënyrë objektive dhe të drejtë nëse pretendimet në raportimin në interes publik janë të mbështetura në provat e mbledhura. Kështu, rezultatet e hetimit janë të varura nga provat e disponueshme për një shkelje të caktuar. Gjatë këtij hetimi, si prova mund të përdoren të dhënat zyrtare, dokumentet dhe dosjet e institucionit përkatës, përfshirë, por pa u kufizuar në vendimet administrative ose çfarëdo vendimi tjetër dhe zbatimi i tyre, rregullat e brendshme, shënimet e procedurave të brendshme lidhur me vendimet përkatëse si procesverbalet e takimeve, kopjet e çdo komunikimi në mes të zyrtarëve në lidhje me vendimet apo procedurat që janë objekt i sinjalizimit, intervistat me persona nga institucioni të cilët janë subjekt i raportimit në interes publik, ose personave të tjerë relevant dhe informatat në dispozicion publik. Të gjitha llojet e hakmarrjes për të cilat sinjalizuesi mund të kërkojë mbrojtje, me ligj, zbatohen si për personat që ndihmojnë sinjalizuesit ashtu edhe për oficerët përgjegjës për trajtimin e raporteve të sinjalizuesit. Në përputhje me Ligjin, mbrojtja e sinjalizuesit nuk jepet në rastet kur sinjalizuesi raporton ose zbulon informacione që ata e dinë ose mund të kenë dijeni se janë të rreme. Si rezultat i raportimit të rrejshëmpersoni i caktuar mund të jetë subjekt i përgjegjësisë disiplinore brenda institucionit ku punon, përgjegjësisë civile nëpërmjet ngritjes së padisë nga institucioni ose ndonjë palë tjetër që është dëmtuar nga raportimi i rremë me vetëdije, ose përgjegjësia penale për deklarime të rreme. Personi kundër të cilit është bërë kallëzim apo zbulim i rremë mund të paraqesë kërkesë për kompensim dëmi në gjykatën kompetente.